Këshilli i Prindërve kundër mbylljes së shkollave

Këshilli i Prindërve kundër mbylljes së shkollave

Këshillit i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër masave të reja anti-COVID’19 të cilat pritet të merren sot (e hënë) në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, nga ky këshill janë shprehur se arsimi parauniversitar nuk duhet të mbyllet.

Sipas tyre, numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar është tepër simbolik dhe nuk ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve në nivel vendi.

“Mesimi online është i dështuar dhe nuk e di pse do të aplikohet. Mësimi online angazhon prindërit si mësimdhënës dhe ky është thelbi i dështimit sepse prindi nuk mund ta zëvendësojë mësimdhënësin. Duhet të mbahet mësimi fizik edhe për një kohë nëse duam qe të mos dështojë viti mësimor”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka apeluar tek Qeveria që të mos mbyllen shkollat dhe të mundësohet mësimi me prani fizike në shkollë duke përcjellë me kujdes të shtuar situatën e mbajtjes së mësimit fizik në shkolla.

“Nëse kërkojnë rrethanat me u mbyllë shkollat, ulemi bashkë që të konsultohemi për të marrë vendim dhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet tutje në njoftim.

Në media është raportuar se me masat e reja, të gjitha institucionet publike dhe private oligohen të zhvillojnë mësimin online deri më datë 18 prill./Insajderi.com