Këshilli i Prindërve: Të mos përdoren fëmijët për interesa politike

Këshilli i Prindërve: Të mos përdoren fëmijët për interesa politike

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë të enjten se ndjehen tejet të shqetësuar me tendencat e liderëve politik dhe partive politike për politizimin e shkollave dhe përdorimin e nxënësve dhe fëmijëve për aktivitete politike.

Në një komunikatë për media, ky këshill thotë se fëmijët nuk duhet të përdoren për interesa grupore apo politike.

“Askush nuk ka të drejtë të cenoj mësimin dhe edukimin e fëmijëve tonë dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë fëmijët për kurrfarë interesi personal, grupor, politik, fetar apo çfarëdo aktiviteti tjetër që bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar të Kosovës dhe ligjeve dhe konventave tjera ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve”, thuhet në reagim.

Reagimi i prindërve vjen pasi që Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur në shkolla fillore e të mesme fletushka që bëjnë thirrje për tubim me qytetarë për të diskutuar rreth situatës politike në vend.

Lidhur me këtë ka reaguar sot edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila ka thënë se është shkelje e ligjit shfrytëzimi i ambienteve të shkollave për tubime të tilla./Insajderi.com