Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën në Nju Jork do të mbahet mbledhja e radhës për Kosovën, ku do të diskutohet për raportin e periudhës nga shtatori 2020 deri në mars 2021, njofton Insajderi.
Seanca e kryesuar nga Vietnami do të zhvillohet në formatin video për shkak të pandemisë së Coronavirusit.
Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 14 shkurt dhe aktakuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar si dhe ngjarjet kryesore politike.
Raporti thekson se këto ngjarje kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ndaj, pritet që dy vendeve t’u bëhet thirrje për vazhdimin e dialogut në Bruksel./Insajderi.com