Këshilli Prokurorial “harron” rastin e ish-prokurorit Blakaj

Këshilli Prokurorial “harron” rastin e ish-prokurorit Blakaj

Një tërmet të vërtetë e kishte shkaktuar tani ish-prokurori Elez Blakaj në sistemin e drejtësisë kosovare, raporton KTV.

Por, sipas kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, i gjithë viti që po lëmë pas, ka qenë i mbarë e pa ndonjë skandal.

96 % të rasteve të korrupsionit, ose 281 nga 294 raste, prokurorët i kanë zgjidhur, por nuk është treguar se në çfarë forme.

Isufaj, për herë të parë ka folur edhe për akuzat që i kishte bërë ish-prokurori Blakaj për ndërhyrje në rastin e listave të veteranëve të rremë.

Kryesuesi konfirmoi se kishin folur me Blakajn për rastin, por mohoi t’i ketë kërkuar që nga lista e të akuzuarve të hiqet ministri Rrustem Berisha.

Në konferencën e fundvitit, ndër sukseset e Këshillit, Isufaj ka përmendur rritjen e numrit të prokurorëve, buxhetit dhe nxjerrjen e legjislacionit.

Isufaj, që është në fund të mandatit të tij në krye të këshillit, nuk e ka mohuar mundësinë që të jetë në garë për një tjetër pozitë të rëndësishme, atë të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, që do të mbetet bosh me pensionimin e Reshat Millakut.