Këshilli Prokurorial i reagon Haxhiut për “pazaret” në drejtësi: Po ndërhyn në punën e gjyqësorit

Këshilli Prokurorial i reagon Haxhiut për “pazaret” në drejtësi: Po ndërhyn në punën e gjyqësorit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi një ditë më parë se Brenda brenda sistemit prokurorial ka “grupe të fuqishme” dhe “pazare”, njofton Insajderi.

Në reagimin e tyre thuhet se “KPK-ja vlerëson se ky artikull shfaq paragjykime për kinse ‘manipulime’ për zgjedhjen e pozitave menaxheriale nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, në këtë rast të pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, është i pavërtetë dhe krejtësisht tendencioz”.

Sipas tyre, Haxhiu duhet të përmbahet nga “deklarimet e tilla të paqëndrueshme”.

“Në këtë kontekst, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar me shqetësim edhe deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat si të tilla janë krejtësisht të pabazuara dhe bien ndesh me ndarjen e pushteteve, duke përbërë kështu ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit, përkatësisht sistemit prokurorial.  Prandaj, një Ministre e Drejtësisë, e cila thirret në forcimin e sundimit të ligjit duhet të përmbahet nga deklarimet e tilla të paqëndrueshme. Me këtë rast e ftojmë të njëjtën që të tregojë konkretisht se për çfarë grupesh të fuqishme dhe pazaresh bëhet fjalë?!”, thuhet në reagim.

Tutje, nga KPK-ja janë shprehur se zgjedhja e cilësdo pozitë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfshirë këtu zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive përkatëse dhe Kryeprokurorit të Shtetit, bëhet në bazë të Kushtetutës, ligjit, meritokracisë, transparencës, monitorimit të partnerëve ndërkombëtarë dhe standardeve më të larta profesionale.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) si organ i pavarur dhe i paanshëm nuk do të lejojë asnjë interferim, tendencë apo çfarëdo interesi nga jashtë të ndikojë dhe cenojë integritetin e proceseve të rëndësishme, të cilat zhvillohen brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore”./Insajderi.com