Këshilltari i Ambasadës së Francës nuk lejohet të futet në Kosovë pa testin PCR, edhe pse jeton që dy vjet në Shqipëri

Këshilltari i Ambasadës së Francës nuk lejohet të futet në Kosovë pa testin PCR, edhe pse jeton që dy vjet në Shqipëri

Ishte rrugës për në Kosovë, kur këshilltari në Ambasadën e Francës në Shqipëri, Toma Cristini, banor rezident prej vitesh në shtetin shqiptar, kuptoi se pa testin PCR negativ nuk mund të kalonte pikën kufitare në Morinë.

Kjo iu bë e ditur atij me të marrë një mesazh nga miku i tij në Ambasadën e Francës në Kosovë, se duhet të kenë testin PCR, por tashmë ishte vonë meqë ishin në autobus. Edhe pse shpresat i mbanin te shoferi i autobusit i cili u kishte thënë se nuk do të ketë problem, Toma dhe shoqet e tij u kthyen për në Tiranë me dokumentacionet ku vërtetohej se janë refuzuar të hyjnë brenda territorit të Kosovës.

Këtë eksperiencë të ndodhur më 17 tetor të këtij viti, francezi e ka ndarë me Gazetën Online Insajderi.

Ndonëse jeton në Shqipëri qysh para periudhës pandemike, për kontrollin kufitar ka mjaftuar të shohin pasaportën e tij dhe ta kthenin mbrapsht.

“Unë personalisht po punoj këtu që nga 1 prilli 2019, kështu që ka kaluar një vit dhe 7 muaj, unë kam qenë fillimisht një mësues, ndërsa tani jam duke punuar për Ambasadën e Francës. Shoqja ime franceze ka punuar për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar që nga janari dhe mikesha jonë shqiptare është përkthyese”, ka shpjeguar ai.

“Ne morëm një mesazh nga një mik në ambasadën franceze të Kosovës herët në mëngjes duke thënë se do të na duhej një test PCR por në atë kohë ishim tashmë në autobus. Ne pyesim shoferin e autobusit që u përgjigj ‘s’ka problem, s’ka problem'”, tha tutje Cristini.

“Kur kontrolli kufitar pa pasaportën tonë ne u thamë atyre për situatën tonë, se ne jemi duke punuar në Tiranë, ne nuk jemi udhëtar, se ne jemi gjithashtu duke punuar me institucione zyrtare, por kjo nuk ndihmoi aspak, ne nuk kishim zgjidhje tjetër përveç duke u kthyer atje nga kemi ardhur. Kështu që na u desh të qëndronim në kontrollin e kufirit për të regjistruar informacionin se na ishte refuzuar dhe u kthyem në Tiranë. Mikesha jonë shqiptare ishte ajo që mund ta diskutonte drejtpërdrejt me ta, por nuk kishte ndonjë zgjidhje”, përfundoi ai.

Insajderi ka kontaktuar edhe me Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, për të pyetur nëse banorët e Shqipërisë me nacionalitet të huaj kanë ndonjë tjetër mundësi për hyrje në Kosovë pa testin PCR.

Sipas kësaj qendre, alternativë tjetër përpos këtij testi është vetë-izolimi për një javë dhe mundësia e kryerjes së testit në Kosovë gjatë karantinimit.

“Nuk është vetëm testi, pra ata që dëshirojnë të kalojnë kufirin dhe nuk e kanë testin PCR, duhet të izolohen për shtatë ditë. Për qytetarët që janë jo-shqiptarë,pra ka shumë njerëz që janë shqiptarë dhe kanë pasaporta të huaja mirëpo e kanë një adresë të shtëpisë në Kosovë – ata qëndrojnë në vetë-izolim, mirëpo edhe prej vetë-izolimit mund të bëjnë në termin ose privat ose në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë për të bërë testin në Kosovë, kjo është një tjetër alternativë. Mirëpo qytetarët që janë mysafirë dhe nuk kanë një adresë banimi se ku do të banojnë dhe qëndrojnë në hotele, për atë edhe refuzohen”, kanë thënë nga QKMK për redaksinë.

Franca i prinë listës së vendeve qytetarët e së cilave Kosova nuk i pranon brenda saj pa poseduar testin negativ PCR.

Madje, nga tani e tutje edhe Gjermania bën pjesë në listën e këtyre vendeve.

Bazuar në përditësimet e fundit, shtetet të cilat i konsideron Kosova si të tilla përveç Francës e Gjermanisë janë: Spanja, Britania e Madhe, Italia, Belgjika, Holanda, Çekia, Polonia, Rumania, Portugalia, Austria, Hungaria, Irlanda, Sllovakia, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda, Qiproja dhe Lihtenshtajni.

Të gjitha këto shtete kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë, gjë që i bën të jenë pjesë e listës së shteteve me rrezik të lartë.

Ministria e Shëdetësisë ka deklaruar për Insajderin se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.

“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria. /Insajderi.com