Këshilltari i drejtorit të Telekomit të Kosovës në drekë zyrtare me raki dardhe e levrek deti

Këshilltari i drejtorit të Telekomit të Kosovës në drekë zyrtare me raki dardhe e levrek deti

Trim Musliu, këshilltar i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefit, vazhdon t’i kushtojë buxhetit me drekat dhe darkat zyrtare të tij. Vetëm nga tri drekat zyrtare, rezulton se Musliu ka shpenzuar afër 350 euro.

Sinjali ka siguruar disa fatura të drekave zyrtare për të cilat përgjegjës është Trim Musliu, këshilltar i Bedri Istrefit në Telekomin e Kosovës.

Në faturën e 24 tetorit, Musliu ka shpenzuar 139 euro e 80 cent për drekën zyrtare të tij, që ka përfunduar në ora 13:40. Në këtë drekë ai dhe shoqëruesit e tij janë ushqyer me ‘kallamari në skarë’, ‘krudo mix’, ‘sallatë rukolla’ e ‘ujë Rugove’.

Përveç kësaj me faturë zyrtare është konsumuar ‘levrek deti’ që kushton më shumë se 55 euro si dhe ‘oktapod’ në vlerë të 14 eurove.

Këshilltari i Bedri  Istrefit, ka vazhduar me ‘raki dardhe’ e ‘raki rrushi’ në drekën e 14 nëntorit të këtij viti.

Përveç rakisë, në këtë drekë zyrtare është konsumuar përsëri ‘levrek deti’, çmimi i së cilës është 52 euro e 70 cent. Kjo drekë është pasur edhe me ushqime të tjera që në total kanë kushtuar 106 euro.

Në faturën e katër nëntorit që ka siguruar Gazeta Sinjali, Musliu ka shpenzuar 103 euro për ushqim dhe pije ndonëse nuk saktësohet se për çfarë ushqimi është konsumuar.

Musliu kishte mbajtur për një kohë të shkurt postin e kryeshefit të Telekomit, pas dorëheqjes së Gent Begollit, në ndërkohë ishte përfshirë në skandal tjetër financiar.

Musliu që kishte qenë regjisori dhe producenti i filmit “Mala” si dhe njëkohësisht i punësuar në Telekomin e Kosovës ishte shpërblyer me ndihëm financiare filmi i tij me 300 mijë e 15 euro. Ky film kishte qenë i kompanisë “Morea SHPK”.