Këshilltari i Haradinajt i përgjigjet Mogherinit: Taksa hiqet kur Serbia ta njeh Kosovën

Këshilltari i Haradinajt i përgjigjet Mogherinit: Taksa hiqet kur Serbia ta njeh Kosovën

Halil Matoshi, këshilltar politik i Shefit të Qeverisë, ka thënë se përgjigja e Qeverisë është negative për kërkesën e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Frederika Mogherini, për të hequr taksën ndaj Serbisë në këmbim të vendosjes së emrit të Kosovës në Marrëveshjen e CEFTA’s.

“Taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e tij!”, ka shkruar Matoshi, në një reagim në FB.

Ai ka thënë se kosovarët janë europianë dhe nuk bëjnë kompromise me pavarësinë.

“Letra e Federica Mogherinit, që thërret Prishtinën zyrtare, për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 shkurtin. Me sovranitetin dhe terësinë tokësore të saj”, ka shtuar ai.

Matoshi e ka ndërlidhur vendimin e taksës me ditën kur Kosova është shpallur e pavarur. Ka thënë se ajo ditë s’preket.

“Kryeministri Haradinaj e ka bâ të qartë për miqt dhe armiqt e Republikës: 17 shkurti nuk preket as nuk negociohet!”, ka shtuar ai.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini, Komisionerja për tregti Malmstrom dhe Komisioneri Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.

Ofrojnë mes tjerash që emërimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.