Këshilltari i Veselit nuk arrin në bëhet deputet – Akuzon njerëzit e PDK-së që ja kanë blerë votat për 10 euro

Këshilltari i Veselit nuk arrin në bëhet deputet – Akuzon njerëzit e PDK-së që ja kanë blerë votat për 10 euro

Kandidati për deputet i PDK-së, Blerim Latifi i cili njëheresh është edhe këshilltari i Kadri Veseli, pasi nuk ka arritur të sigurojë votat për t’u futur në Kuvendin e Kosovës ka kritikuar ashpër partinë e tij se kanë blerë vota në Drenicë, shkruan Insajderi.

Latifi përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka shkruar se PDK-ja nuk është mundur nga Vetëvendosja, as nga LDK-ja, po PDK-ja e ka e ka mundur PDK-në, që sipas tij kanë zhvilluar një luftë të paskrupullt për t’ia grabitur votat njëri tjetrit.

Latifi ka thënë që ketë luftë e kanë fituar ata që kanë pas para dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta.

“PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta”, ka thënë Latifi.

Ai gjithashtu është shprehur se i vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj Kadri Veseli dhe se është përpjekur i vetëm ta shpëtoj PDK-në.

“I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante “Fushata e vetmisë së madhe””, ka shkruar Latifi.

Tutje, Latifi ka thënë se kam hyrë në garë sepse i ka besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë të cilën e kam mbrojtur publikisht në debatet dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje.

“Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së”, tha ai.

Latifi gjithashtu ka treguar se në Drenicë votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera.

“Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike. Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike”., ka thënë Latifi, teksa ka vazhduar.

“Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi”.

Në fund, ai ka falenderuar votuesit e tij në Skenderaj dhe ka uruar njerëzit e mirë brenda PDK-së për që e kanë mbështetur.

“Në fund dua t’i falenderoj nga zemra votuesit e mi në Skënderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën. Ata janë njerëz të shpresës dhe unë kurrë nuk do t’i harroj. Ndërkaq, njerëzve të mirë të PDK-së ua uroj gjithë të mirat në jetën dhe familjet e tyre. Ata janë shumica dhe meritojnë të respektohen dhe të mbështeten”, ka përfunduar Latifi.