Këshilltari i Pacollit konfirmon se po negociojnë me LDK-në për koalicion

Këshilltari i Pacollit konfirmon se po negociojnë me LDK-në për koalicion

Këshilltari i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka konfirmuar avancimin e bisedimeve mes partisë të cilës i takon dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicion parazgjedhor, njofton Insajderi.

Këtë Zyberaj e bëri të ditur në emisionin “Imazh” të Radio Televizionit të Kosovës, ku tutje tha se ende nuk ka përfunduar asgjë.

“Në fakt nuk ka përfunduar asgjë, Pacolli është duke zhvilluar negociata me kryetarin e LDK-së për një garë të mundshme së bashku”, ka thënë ai.

Tutje Zyberaj tha se negociatat kanë avancuar dhe do të përmbyllën brenda dy ditësh.

“Kontakte kemi pasur edhe me partitë tjera, por më të avancuara janë me LDK-në edhe për shkak të afërsisë ideologjike që kemi me ta, por edhe për shkak të bashkëpunimit të mëhershëm”, shtoi Zyberaj.

Anëtari i AKR-së foli edhe për raportin me Nismën Socialdemokrate, ku tha se me këtë subjekt kanë pasur bashkëpunim në vitin 2019, që është përmbyllur në mënyrë korrekte, por që nuk e shohin të arsyeshme që të kenë koalicion në këto zgjedhje.

Në listën e LDK-së, AKR-ja sipas Zyberajt pritet të ketë rreth 15 kandidatë për deputet. /Insajderi.com