Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bajram Gecaj ka sqaruar deklaratën e Kryeministrit të vendit Isa Mustafa, në të cilën thotë se “komunikatat e AAK-së po më përngjajnë në rriqrat e Malishevës”.
Gecaj, i cili është njëkohësisht edhe zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se “kryeministri në këtë deklaratë ka aluduar në atë se komunikatat e kësaj partie janë neveritëse dhe të dëmshme”.
“As më parë, as kësaj radhe, kryeministri Mustafa kur foli për deklaratat e një subjekti politik, duke i krahasuar ato me rriqrat e Malishevës, me aludimin se ato deklarata janë neveritëse dhe të dëmshme, as nuk ka ofenduar as nuk është grindavec”, ka thënë Gecaj në reagimin e tij në mbrojtje të Mustafës.
Gecaj ka shpjeguar se kryeministri Mustafa nuk ka ofenduar qytetarët e Malishhevës me deklaratën e tij.
“S’ka si të shpjegohet ndryshe përpjekja ugurzezë për ta shtrembëruar cdo gjë që thotë Kryeministri, në rastin konkret me qëllim që të akuzohet se ai paska ofenduar malishevasit. Të tillët bile edhe kërkojnë që Kryeministri të kërkoj falje. Rriqra janë të tillët dhe mendësia të cilën e kritikon Kryeministri”, thotë ai.
Mustafa, ditën e djeshme quajti deklaratat e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, se “janë bërë si rriqrat e Malishevës”. /Insajderi.com