Këshilltari i presidentit sulmon mediet duke e mbrojtur Azem Sylën

Këshilltari i presidentit të Kosovës ka sulmuar mediet duke e mbrojtur kushëririn e tij, Azem Syla, i cili akuzohet për krim të organizuar.

Ismail Syla ka thënë se mediet janë të përkushtuara që ta shkatërrojnë emrin e Azem Sylës, të cilit i thurte elozhe.

“Jo. Qëllimi i arrestimit, bastisjes, botimit të akuzave në “Kohën Ditore”, ribotimi i tyre, riciklimi i akuzave sa herë përmendet emri i tij në shtyp, veçanërisht në “Koha Ditore” është i programuar. Të rrënohet emri i tij. Dhe sipas kësaj teknike, nuk ka gjë më të mirë se të rrënohet përmes gjoja keqpërdorimit të pronave. Askujt nuk do t’i dhimbet. E në fund të arrihet mbjellja e dyshimit dhe befasisë, zbulimi i esencës së personalitetit të Azem Sylës: Ai nuk paska qenë kurrfarë patrioti”, ka shkruar ai.

Por Ismail Syla, sikur ka harruar të gjitha ato shkrime që u publikuan për ish-mësuesin e tij të kimisë, Azem Syla.

Gazeta Insajderi kohë më parë kishte shkruar për “Tregtinë kriminale” me tokën e shtetit, ku përfshihej Azem Syla me grupin e tij.

Tokat që janë tregtuar nga “grupi i Azem Sylës”, para luftës së dytë botërore kanë qenë prona private kryesisht të serbëve të Kosovës. Ato, ndërkohë janë marrë nga shteti dhe është themeluar ndërmarrja “KBI Kosova Export”.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër – pa e ditur fare ata. Pas bartjes në emra të tyre, pronat janë shitur tek pronarët shqiptarë. Vlera e këtyre trojeve është vlerësuar se peshon mbi 30 milionë euro.

Insajderi kishte shkruar edhe për takimet që Azem Syla i kishte pasur me Shaban Sylën, Shpresim Ukën, Nazim Bllacën, Fahredin Gashin e Driton Hajdarin në picerinë “Fluri” që ndodhet përball Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Ndaj Azem Sylës u hodhën edhe dyshime tjera. Me anë të fuqisë, ryshfetit e kërcënimeve, grupi kishte arritur që t’i merrte dokumentet origjinale të tokave në Gjykatë dhe institucione tjera relevante dhe në vend të tyre t’i fuste dokumentet false.

Roli i Dino Asanajt në veprimtarinë e dyshuar kriminale të “grupit të Azem Sylës” del të jetë vendimtar. Lidhjet e grupit me të ndjerin Dino Asanaj janë te forta.

Hetimet dhe përgjimet e telekomunikimit tregojnë për kontaktet e shpeshta që ai kishte me këtë grup. Roli i Asanaj, i vdekur në qershor 2012, vlerësohet nga Prokuroria si një prej hallkave kryesore të zhvatjes së dhjetëra hektarëve tokë të shtetit dhe përfitimin e miliona eurove prej kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu, Prokuroria kishte thënë se Azem Syla i dha 100 mijë euro për vrasjen e bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, Nazim Bllaca, i cili më vonë u bë njeriu më i rrezikshëm për të.

Prokuroria dyshon se një shumë e madhe parash dyshohet se janë dhënë për vrasjen e Nazim Bllacës. Dyshohet se Bllaca është kërcënuar se nëse dëshmon, do ta paguajë me jetë.

Azem Syla dyshohet se ka paguar vrasjen e Adem Salihajt. Syla dyshohet se me paratë që ka fituar në Zvicër “si njeri me probleme mendore”, ka paguar grupin kriminal.

Më tej Insajderi kishte sjellë vazhdimisht hulumtime që tregonin për veprimtarinë e Azem Sylës dhe të grupit të tij.

Aty tregohej se si Syla dhe grupi i tij e kishin detyruar personin “F” ta blinte një tokë në çmimin që ia kishte caktuar Azem Syla.

Krejt kjo kishte ndodhur pasi “F”-ja ishte incizuar duke bërë seks me një femër dhe kjo ishte përdorur si detyrim kundër tij.

Madje Azem Syla i kishte dhënë ultimatum “F”-së që pesë hektarë tokë të shiteshin brenda 48 orëve për 50 mijë euro. pasi nuk i dëgjoi ata, “F”-ja ishte shantazhuar në një mënyrë tjetër. Vajza që ishte bërë pjesë e shantazhit, i ishte premtuar një vend pune në institucione.

Lidhjet e Azem Sylës shkojnë deri atje ku dëshmitarët pohonin se ai u pasurua në mënyrë të dyshimtë.

Insajderi kishte siguruar procesverbalet e dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur në rastin kundër Azem Sylës dhe 50 të tjerëve. Ai ka rrëfyer për pasurimin e dyshimtë të Sylës, më 2006. Insajderi solli rrëfimin e dëshmitarit që pohon se Azem Syla bleu banesë në vlerë prej 155 mijë eurove në Pejton, në vitin 2006.

Po ashtu, bleu një Mercedes në vlerë prej 40 mijë eurosh. Asnjërën pasuri nuk e regjistroi në emër të tij, pohon dëshmitari. Burimi i të ardhurave ishin veprimet e dyshuara kriminale në Llapnasellë.

Bëmat e Azem Sylës ishin aq të mëdha, saqë edhe televizionet zvicerane kishin emetuar storie për të.