Qeveria e Kosovës nuk po e sheh si problem zgjedhjen e Aleksander Jabllanoviq në krye të Listës Serbe.
Madje rikthimin e Jabllanoviq si kryetar të këtij subjekti e arsyetojnë me atë se Lista Serbe ka të drejtë të zgjedhe këdo në këto pozita, përveç në raste ku emërime të tilla kanë të bëjnë me emërime dhe shkarkime nëpër ministri.
Kështu ka bërë të ditur për Express, Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.
Ai nuk ka pranuar të flas rreth raportimeve se Mustafa po e përkrah kthimin e Jabllanoviqit në politikë.
“Kryeministri ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Listën Serbe. Është Lista Serbe dhe elektorati i tyre që i zgjedhin përfaqësuesit e vetë, përpos kur kemi të bëjmë me emërime dhe shkarkime të ministrave dhe pozitave tjera ekzekutive”, tha Gecaj, të mërkurën për Express.
Gecaj po ashtu sqaron se Lista Serbe është ajo që duhet t’i zgjedh problemet e tyre të brendshme.
Ndërkaq, sot gjatë ditës edhe KQZ konfirmoi për Express se ka pranuar dokumentin nga Jabllavoniq sipas të cilit i njëjti është rikthyer në krye të Listës Serbe.
Kujtojmë se Jabllanoviq ishte shkarkuar nga posti i ministrit nga kryeministri Mustafa kur ai ofendoi rëndë nënat gjakovare gjatë protestave.
“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi”, ishte deklarata e Aleksander Jabllanoviq që çoi në shkarkimin e tij e më pas edhe largimin e tij nga Lista Serbe, pozitën e të cilit më pas e mori Slavko Simiq.
Ndërkohë, përfaqësuesit serbë kanë thënë se nuk janë në dijeni për rikthimin e Jabllanoviq në krye të Listës.