Këshilltarja e Haradinajt godet Kurtin: Maska politike ra

Këshilltarja e Haradinajt godet Kurtin: Maska politike ra

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të shkojnë nesër pa marrëveshje në Kuvend.

Mos arritja e marrëveshjes për formimin e qeverisë ndodhi për shkak të mos pajtimeve rreth postit të presidentit.

LDK insiston për këtë post, derisa LVV kërkon që kjo çështje të lihet për më vonë dhe si kundërshpërblim kërkon Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Por, këshilltarja e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla konsideron se kreu i Vetëvendosjes nuk është i interesuar për formimin e qeverisë së re.

“Konfidenca arrogante e VV-së për fitore të thellë nëse mbahen zgjedhjet e reja, është tregues i saktë i angazhimit të tyre aktiv për bllokimin e suksesshëm të koalicionit me LDK. Bixhozi i tyre me strategjinë ‘all-in’ (merr apo humb të gjitha) i jep kuptim qëllimit për kontrollin e plotë mbi institucionet e Kosovës, qoftë duke nënshtruar LDK-në qoftë duke fituar (sipas tyre) mbi 45%. Mosbesimi i tij në sistemin demokratik pluralist, do t’ia dështojë secilën herë projektin e tij. Maska politike ra. Fushata zgjedhore po vazhdon…”, shkruan Meliza Haradinaj-Stublla në një postim në Facebook.