Këshilltarja politike në MAPL mohon se keqpërdori veturën zyrtare për qëllime private

Këshilltarja politike në MAPL mohon se keqpërdori veturën zyrtare për qëllime private

Këshilltarja politike në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Vinka Radosavljeviq, është deklaruar e pafajshme për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ajo akuzohet se në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka shfrytëzuar veturën zyrtare për qëllime private, duke ia dhënë që atë ta drejtonte djali i tezes së saj, me të cilën kishin tentuar që nga Kosova të shkonin në Serbi, por që ishin ndaluar në pikën kufitare në Jarinje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Naim Beka, e akuzuara e ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Gjykatësi Tomisllav Petroviq, e ka njoftuar të pandehurën se në afatin kohor prej 30 ditësh nga shqyrtimi fillestar, mund të paraqesë kundërshtimet dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Petroviq ka njoftuar se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, ndërsa për kërkesat dhe kundërshtimet do të vendosë jashtë seance.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 1 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Vinka Radosavljeviq.

Sipas aktakuzës, e pandehura më 11 gusht 2018, duke shfrytëzuar cilësinë e këshilltares politike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka shfrytëzuar veturën zyrtare, të tipit “Jeep”, që është pasuri e qeverisë, për qëllime private.

Siç thuhet në aktakuzë, e pandehura veturën zyrtare ia kishte dhënë ta drejtojë familjarit të saj, djalit të tezes, Aleksander Sharkoviq, e ku po ashtu në veturë kishte qenë prezent edhe udhëtarja Violeta Mitroviq, e cila udhëtonte në të njëjtën veturë për qëllime private.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura ishte ndaluar në pikë kalimin kufitar në Jarinje, nga zyrtarët doganorë, ku e njëjta nuk kishte poseduar dokumentacione përkatëse për kalimin nga Republika e Kosovës në Serbi, po që ajo personit zyrtar ia kishte prezantuar një autorizim pa datë dhe protokoll, me ç` rast i ishte përgjigjur zyrtarit se me këtë veturë ka dashur që bashkudhëtaren ta dërgojë për ta kontrolluar te mjeku në Rashkë.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.