Kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët zgjodhën sheshet e Prishtinës për të festuar 12-vjetorin e pavarësisë.
Ndryshe nga 12 vjet më parë, kur temperaturat shënonin deri në -16 gradë celsius, sot rrezet e diellit mundësuan që qytetarët të shijojnë më shumë këtë ditë.
Flamuj shtetëror të Kosovës, kombëtar, njerëz me veshje kombëtare, me plisa si dhe duke kërcyer nën ritmin e daulleve janë vënë re në sheshin e kryeqytetit.
Edhe te Newborn atmosfera ka qenë tejet festive me qytetarë që kishin vërshuar rrugëve për të parë edhe pamjen e re që mori ky obelisk.
Në sheshin e Prishtinës sonte prej orës 20:00 do të mbahet edhe një koncert i organizuar nga Komuna e Prishtinës.