Këta janë deputetët me aktakuza në legjislaturën e re të Kuvendit

Këta janë deputetët me aktakuza në legjislaturën e re të Kuvendit

Edhe këtë herë Kuvendi do të ketë katër deputetë më aktakuza.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili ka arritur të bëhet deputet, është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Duke qenë deputet i ardhshëm i Kuvendit, po nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj do të përballet me drejtësinë. Ai ka dy aktakuza, njërën për fryrje të listës së veteranëve dhe tjetrën për kërcënimin e ish-prokurorit Special, Elez Blakaj.

Ndërkohë, ulëse në Kuvend për legjislaturën e ardhshme ka siguruar edhe Ivan Todosijeviqi nga Lista Serbe. Në kohën sa ishte ministër i Pushtetit Lokal, Todosijeviqi i quajti shqiptarët terroristë dhe masakrën e Reçakut trillim, raporton KTV.

Për këtë, Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tij, për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.”

Nga PDK-ja, me aktakuzë është Mërgim Lushtaku, i biri i Sami Lushtakut, i cili ka arritur të bëhet sërish deputet.

Ndaj tij është duke u zhvilluar proces gjyqësor, si i akuzuar se ndihmoi babanë e tij për t’u arratisur nga QKUK-ja, në kohën kur po gjykohej për krime lufte.

Në ulëset e caktuara për deputetë, në legjislaturën VII, do të ulen 52 deputetë që kanë arritur të zgjidhen në këtë post për herë të parë./Insajderi.com