
Përmes një komunikate për medie, Policia ka njoftuar se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit, 400 deri në 1000 euro.
Ndër të arrestuarit, disa prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas burimeve të Insajderit, të arrestuar për kryerje të veprës “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”, janë Filize Krasniqi, drejtoreshë e departamentit për patent shofer, Naser Llugaliu, udhëheqës për patent shofer njësia Prishtinë, Flamur Lekaj, egzaminer, Eduard Brahimaj, egzaminer, Filloreta Ajvazi, zyrtare administrative, Fejzullah Ejupi, zyrtar administrativ, Azem Miftari, egzaminer, Magbule Mehmeti, egzaminere, Flora Ferizi, zyrtare dhe një punëtor sigurimi.
Me aktvendim të prokurorit, gjithë të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve./Insajderi.com/