Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar të mërkurën se gjatë kësaj jave do të merret evndimi nëse do të ketë ndryshim të orarit mësimor për pjesën e mbetur të këtij viti shkollor.
Ajo para mediave ka thënë se të enjten do të ketë takim me task-forcën në nivel të Kosovës, ndërsa të premten me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku sipas saj, do të diskutohen këto çështje.
“Për vitin e ardhshëm shkollor besojmë se që do të fillojë gjithçka me kohë. Ndërkaq sa i përket këtij viti shkollor ne kemi të premten një mbledhjet me DKA-të. Ne kemi kërkuar edhe nga task forcat në nivel të komunave që të na njoftojnë për gjendjen në komuna, nesër kemi edhe një takim të taskforcës në nivel të Republikës së Kosovës edhe do të diskutohen të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me vazhdimin e procesit deri në përfundim të këtij viti shkollor”, është shprehur Nagavci, pasi ka marrë pjesë në inaugurimin e një klase të rregulluar për parafillorët në shkollën “Nazim Gafurri”.
Ndër të tjera, ministrja ka theksuar se përmes një bashkëpunimi me Caritasin janë trajnuar 700 edukatorë në vend në mënyrë që fëmijëve t’u ofrohet edukim i hershëm sipas standardeve ndërkombëtare.
“Bashkëpunimi me Caritasin ka mundësuar trajnimin e më shumë se 700 edukatorëve me shkollat e Kosovës dhe me anë të bashkëpunimit më Institutin pedagogjik të Kosovës, drejtoritë komunale dhe Fakultetin e Edukimit po punohet afër që tu ofrohen shkathtësi dhe kompetenca të nevojshme edukatorëve që tu zhvillojmë edukimin e hershëm për fëmijë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe krijimin e hapësirave për fëmijë”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu Nagavci ka potencuar se prioritet i kësaj Qeverie është rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm./Insajderi.com