Këtë javë vendoset se si të kompensohen orët e humbura

Këtë javë vendoset se si të kompensohen orët e humbura

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nisur të shqyrtojë opsionet se si do të bëhet kompensimi i orëve të humbura në pjesën e parë të vitit shkollor, njofton Insajderi.

Për formën e kompensimit dhe kohën kur pritet të realizohet një gjë e tillë, do të vendoset këtë javë.

Ministri Ramë Likaj, ka bërë të ditur se vendimi do të merret në bazë të udhëzimeve që i ka nxjerrë Departamenti i arsimit parauniversitar i MASH-it dhe bazuar në kalendarin e ri shkollor. Rol, sipas tij, do të kenë edhe raportet e drejtorive komunale të arsimit.

“Në atë udhëzues parashihet kompensimi i 4 ditëve që nuk janë mbuluar në këtë periudhë, 5 ditëve të tjera të gjysmëvjetorit të dytë, detyrat, vlerësimi i tyre dhe një lloj kompensimi i mësimit deri në 7 ditë për nxënësit që kanë pasur mungesa më shumë se 5 ditë mësimore, nëse kjo raportohet nga drejtoritë komunale”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Këshilli I Prindërve të Kosovës, kërkon që çdo orë e humbur të kompensohet meqë nxënësit kanë ngecur shumë.

Kryetari I këtij këshilli, Ymret Reshiti, ka kërkuar që Ministria para se të nxjerrë një vendim ta konsultojë edhe Këshillin e Prindërve.

“Viti 2020 i ka ndërprerë mjaft nxënësit nga procesi mësimor dhe është imediate që nxënësit tanë t’i mbajmë më afër procesit mësimor. Orët e humbura për të cilat nuk jemi pajtuar që një javë më herët të ndërpritet procesi mësimor e të zgjatet pushimi, ato duhet të zëvendësohen, sepse është në interesin e nxënësve sidomos në këtë vit pandemik, kur kanë filluar të punojnë me një orar të reduktuar”, ka thënë ai. /Insajderi.com