Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri publike vendimin për heqjen e taksës për lënden e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, shkruan Insajderi.
Kurti ka paraqitur shtatë pika për të cilat tha i ka vendosur pas diskutimeve me ndërmarrësit kosovarë për heqjen e taksës.
Këto janë pikat e prezantuara nga Kurti:
Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:
- Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
- Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.
- Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.
- Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.
- Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.
- Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.
- Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit. /Insajderi.com