Këto janë arratisjet me spektakulare nga burgjet e Kosovës

Këto janë arratisjet me spektakulare nga burgjet e Kosovës

Në burgjet e Kosovës nuk ka vetëm korruptim të stafit e dhunë nga ta kundër të burgosurve. Ky sistem që nga paslufta ka ditur të përballet me arratisje, shpesh edhe spektakulare.

 

Një vit pas luftës, në vitin 2000, në një burg në pjesën verore të Mitrovicës u arratisen 20 pjesëtarë të komunitetit serb të akuzuar për krime lufte. Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë informacion mbi vendodhjen e tyre edhe pse gjatë gjithë kohës është spekuluar se ata ndodhen diku në Serbi.

Në vitin 2007 pastaj në mënyrë spektakulare ishin arratisur edhe 7 persona të tjerë nga burgu I Dubravës, që konsiderohej atë kohë me siguri të lartë. Policia në afërsi të burgut kishte gjetur një sasi të konsiderueshme armatimi dhe gjurmë të tjera nga besohej se janë ndihmuar edhe nga jashtë të burgosurit që të arratisen. Lidhur me atë rast ishin arrestuar pesë oficerë korrektues, të dyshuar se kanë ndihmuar në arratisje.

Një nga arratisjet spektakulare ishte konsideruar edhe ajo e Bedri Krasniqit. Më 30 nëntor të vitit 2008, ai kishte arritur të ikte nga Burgu i Dubravës, ku po e vuante dënimin për vrasjen e dy policëve. Pas arratisjes së tij, Ministria e Drejtësisë atëkohë pati suspenduar 18 zyrtarë të atij burgu. Pas arratisjes së tij nga burgu i Dubravës në fund të vitit 2008, Krasniqi kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem

Morina, më 21 shtator të vitit 2010. Rrëmbimi i tij ishte bërë në dalje të fshatit dhe në këmbim të kokës së tij, Krasniqi me grupin e tij kishin kërkuar 3 milionë euro. Edhe vitin e kaluar ai kishte pasur një tentim për tu arratisur nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, por dështoi.

E mjeshtër i arratisjeve nga burgjet kosovare pa dyshim mund të konsiderohet Faton Hajrizi. Ai fillimisht ra në burg për vrasjen e një ushtari rus sa ishte adoleshent, por nga arratisjet e krimet që i kreu në arrati tash ka arritur në moshën mbi 35 duke e kaluar shumicën e saj në burg. Hajrizi u arratis nga burgu për herë të parë në vitin 2000 dhe më pas edhe 6 herë të tjera, nga burgje të ndryshme të Kosovës dhe nga një bazë ushtarake e KFOR-it.