Këto janë pagat astronomike të 27 kryeshefave të Kosovës

Këto janë pagat astronomike të 27 kryeshefave të Kosovës

Rreth gjysmë milioni euro në vit i kushtojnë buxhetit të shtetit pagat e kryeshefave të 27 ndërmarrjeve publike kryesore në vend.

Shtatë prej 27 kryeshefave gëzojnë paga mujore prej 2 mijë euro e më lartë, 7 të tjerë prej 1 mijë euro e më lartë dhe 13 të tjerë nën 1 mijë euro.

E, në 4 mijë e 453 euro, arrin paga e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi, ndonëse kompania që ai drejton përballet me krizë të rëndë financiare, shkruanFront Online”.

Paradoksale janë këto shpenzime, për njohësin e ekonomisë, Naim Gashi, meqë siç thotë ai, shumica e kompanive, te menaxhuara nga kryeshefat aktualë po punojnë me humbje.

E pakuptimtë, po i duket analistit tjetër të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, që një kryeshef ta ketë pagën më të lartë sesa Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari.

Kryshefat e Ujit – ‘përbijnë’ 147 mijë euro për paga në vit

Janë 9 ndërmarrje publike rajonale të ujit të cilat mbulojnë tërë territorin e Kosovës.

Po kaq është numri i kryeshefave të emëruar në krye të tyre, pagat e të cilëve, ‘kuletës’ së shtetit, i kushtojnë plot 147 mijë e 185 euro në vit.

Kampion sa i përket pagës, ndër të gjithë kryeshefat e ‘ujit’, është Ilir Abdullahu.

Ai, për punën që bën si kryeshef ekzekutiv në kompaninë e ujësjellësit “Prishtina”, paguhet me 2 mijë e 189 euro në muaj apo me 26 mijë e 279 euro në vit.

Aspak me keq nuk i ka të hyrat Berat Lushtaku i  ndërmarrjes “Iber Lepenci”. Ai merr pak më shumë se 2 mijë euro pagë mujore.

Dyfish më pak së Abdullahu e Lushtaku, por shumë më tepër sesa një qytetar me pagën mesatare në vend, merr Ismet Ahmeti, kryeshef në kompaninë e ujësjellësit “Gjakova”.

1 mijë e 290 euro janë të ardhurat e tij mujore , e 15 mijë e 480 euro, ato vjetore.

Pas Ahmetit, menjëherë, vjen kryeshefi i kompanisë “Radoniqi Dugagjin”, Jahja Kadrija, që merr një rrogë mujore prej 1 mijë e 195 eurove.

Lista plotësohet nga kryeshefi i kompanisë së ujësjellësit, “HidroDrini”, Agron Tigani.

Paga prej 1 mijë e 150 eurove në muaj i mundëson Tiganit të rangohet në pozitën e kryeshefit të pestë më të paguar të ujit.

Shumëzimi i pagës së tij mujore me 12 muaj, jep një ekuacion, rezultati i të cilit tregon se ai përfiton nga shteti 13 mijë e 800 euro në vit.

Me vetëm 6 euro më pak në vit dhe me vetëm 50 cent më pak në muaj, paguhet kryeshefi tjetër ekzekutiv, ai i ujësjellësit “Mitrovica”, Sami Miftari.

Pas tij, pasardhës në listë është Xhabir Morina, kryeshef i “Bifurkacionit”.

Të hyrat e tij mujore prej 978 eurove, e ato vjetore  prej 11 mijë e 736,  i sigurojnë Morinës vendin e kryeshefit të 7-të më të paguar.

Liqeni i fundit në Kosovë për nga lartësia e ujit po del të jetë ai i Prelepnicës.

Pak më mirë se liqeni që e menaxhon, i dyti prej fundit për nga lartësia, veçse e pagës, qëndron kryeshefi i kompanisë Hidromorava, Muhamed Suliqi.

Ky me 952 euro sa merr në muaj apo 11 mijë e 429 euro në vit, i bie të paguhet më pak, sesa 7  homologët e tij të mëparshëm.

I teti në listë sipas lartësisë së pagave është Besim Baraliu, i cili për punën e kryeshefit ekzekutiv në kompaninë  Hidregjioni jugor, shpërbehet me 727 euro në muaj apo me 8 mijë e 730 euro në vit.

Në fund të ‘pusit’ është Bedri Haxhijaj.

Ai fut në xhepin e tij 600 euro muaj apo me 7 mijë e 200 euro në vit për punën që kryen si kryeshef i kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë”.

 Kryeshefi me superpagë, 4453 euro në muaj, kompania në krizë financiare!

Një mesazh i vjen çdo muaj Bedri Istrefit, kryeshefit të Telekomit.

Nëpërmjet tij, ai e kupton se i ka dalur, pagat e luksit, prej 4 mijë e 453 euro në muaj.

Kjo shumë është më e lartë sesa shuma që marrin në muaj të tre krerët shtetërorë: Kryeministri, Presidenti e kryetarit i Kuvendit.

Madje, paga e Istrefit, që është e dyta më larta në vend, është 20 fish më e lartë sesa paga mimimale, të cilën e merr një qytetar.

Në pothuajse të njëjtën lartësi superlative të pagës qëndron edhe kryeshefi i Postës.

Këtë pozitë, deri para pak kohësh e ka mbajtur Sejdi Hoxha, tash deputet i PDK-së.

Ai në rolin e përfaqësuesit të popullit do të marrë më pak të holla mujore, sesa kur ishte në Postë, aty ku për punën që bënte paguhej me 2 mijë e 522 euro.

Megjithatë këtë tani ish-pagë të tij do ta trashëgojë pasardhësi i tij, Shefqet Avdijaj.

Ky, në total për 12 muaj, do të gëzojë 30 mijë e 265 euro.

Pavarësisht ndryshimeve në emra, fatura vjetore, që shteti duhet të paguajë për pagën e kryeshefit të Postë dhe Telekomit kap vlerën e 83 mijë e 701 eurove.

Hekurdhat në ‘duart‘ e “PRONTO-s”

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, ka një pagë prej 1 mijë e 600 eurove në muaj apo 19 mijë e 200 eurove në vit.

Këto të holla, ai i gëzon vetëm falë Adem Grabovcit, njeriut që emëroi pikërisht në këtë pozitë.

Si rezultat i kësaj, të dy ishin të akuzuar në aferën PRONTO, por, pak ditë më parë, u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Këtë vendim trupi gjykues e arsyetoi me faktin se nuk kanë dëshmi të mjaftueshme, të cilat vertetojnë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale: shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ngritja e aktakuzës, erdhi pas publikimeve në media të bisedave telefonike të vitit 2011 të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë veç tjerash edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe ish- kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në to flitej për punësimet dhe ndarjen e posteve bazuar në përkatësinë partiake dhe raportet personale.

Në ndërkohë, ndërmarrje tjetër që merret me menaxhimin e hekurdhave është ajo, TrainKos.

Në krye të saj është Gelor Shala, i cili paguhet me 17 mijë e 621 euro në vit.

Shteti për pagën e tij dhe të homologut Thaçi shpenzon plot 36 mijë e 821 euro brenda 12 muajve.

Kryeshefat e Bërllogut ‘mbledhin’  nga buxheti 66 mijë euro për paga në vit

Në kuadër të ndërmarrjeve publike hyjnë edhe kompanitë për mbledhjen e mbeturinave.

Në krye të tyre janë 6 kryeshefa nga po kaq ndërmarrje.

Ata nga buxheti i shtetit, në total, ‘mbledhin’ 66 mijë e 166 euro.

Më i paguari, me 1 mijë e 200 euro në muaj, është Burim Kelmendi, kryeshef në kompaninë Pastrimi.

Pas tij renditet Nehat Basha, kryeshef në kompaninë Ekoregjioni, i cili arkëton 988 euro në muaj.

I treti, për nga lartësia e pagës është kryeshefi i kompanisë Ambienti, Nexhat Abdullahi.

Ky paguhet me 912 euro apo me 32 euro më shumë se homologu i tij te kompania Çabrati, Berati Hadri, që pozicionohet i katërti në listen për paga të kësaj kategorie.

Të fundit në listë janë kryeshefi i kompanisë Pastertia, Dugagjin Etemi dhe ai i kompanisë  Uniteti, Gazmend Morina.
I pari paguhet me 792 euro në muaj, përderisa i dyti me 740 sosh.

I vetëm fiton 18 mijë euro në vit nga pagat

Ndërkohë, mbeturinat e mbledhur kompanitë e lartëpërmendura i dërgojnë nëpër deponi të ndryshme.

Përgjegjës për menaxhimin e këtyre të fundit është kompania për Menaxhimin e Deponive.

Në krye të saj gjendet Abdullah Haxhiu, që paguhet me 18 mijë e 127 euro në vit. Haxhiu është vëllau i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi.

Mbi 21 mijë euro për kryeshefat e dy ngrohtoreve

Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit “Termokos”, Arsim Fetahu, çdo muaj e pasuron xhirollogarinë e tij personale me nga 958 euro.

Brenda një viti, kështu, ai fiton, 11 mijë e 501 euro.

Për të njëjtën punë dhe periudhë 12 muajshe partneri i tij, Admir Shala, që udhëheq me ngrohtoren e qytetit “Gjakova”, përfiton më pak para, duke marrë 833 euro në muaj apo rrafsh 10 mijë euro në vit.

E kostoja totale vjetore e pagave të të dyve është 21 mijë e 501 euro.

KOSTT e KEK-u, lënë mbrapa Presidencën, Qeverinë, e Kuvendit

Për hava janë pagat e kryeshefave, kompanitë e të cilëve, punën kryesore e kanë në tokë.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSST-it dhe i KEK-ut nëse i referohen pagës, nuk kanë asnjë arsye ta lakmojnë karrigen e Presidentit, Kryeparlamentarit dhe të Kryeministrit, meqë marrin më shumë se këta të tre liderë shtetërorë.

Kreu i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka pagë prej 3 mijë e 269 euro në muaj apo 39 mijë e 229 euro në vit.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nijazi Thaçi, paguhet me 2 mijë e 880 euro në muaj apo 34 mijë e 565 euro në muaj.

Afërsia e tij familjare me Presidentin Thaçi, të cilin e ka kushëri,  thuhet të ketë ndikuar në emërimin e tij në këtë detyrë.

30 mijë në vjet, kontos shtetërore i kushton, edhe një pagë tjetër. Ajo e Fadil Ismajlit, kryeshef në Ndërmarrjen e Re Energjetike, i cili në muaj përfiton 2 mijë e 500 euro.

Të tre së bashku, brenda vitit, fusin në xhepat e tyre, 103 mijë e 794 euro.

1 kryeshefe në mesin e 26 kryeshefave, paga e saj vjetore mbi 11 mijë euro

Vetëm një grua mban postin e kryshefes nga të gjitha ndërmarrjet publike.

Ajo është Vlora Gojani, kryeshefja ekzekutiv e Aeroportit të Gjakovës.

Për punën që bën, shteti e shpërblen me një rrogë prej 920 euro në muaj.

Në këtë formë të hyrat e saj vjetore arrijnë koston e 11 mijë e 40 eurove.

Paga të larta dhe shumë afera

Paradoksale janë këto shpenzime, për njohësin e ekonomisë, Naim Gashi, meqë siç thotë ai,  shumica e kompanive publike, te menaxhuara prej këtyre kryeshefave po punojnë me humbje.

“Në fakt asnjëherë këta drejtues ndërmarrjesh publike nuk janë thirrur në llogaridhënie për mënyrën e menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve dhe afarizmin e tyre negativ. Çka është më e keqja edhe sistemi i drejtësisë i ka mbulur aferat e mëdha në Telekom, Aeroport, Hekurudha, kompanitë e ujësjellësve etj. Këta drejtues kompanish kanë pas lidhje të afërta me politikën dhe si të tillë kanë qenë mbi ligjin, ka thënë Gashi.

Ndërsa,  e pakuptimtë, po i duket analistit tjetër të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, që një kryeshef të ketë pagë më të lartë sesa Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari.

Ai në një prononcim për “Front Online”,  tha se duhet të nivelizohen pagat në institutcionet publike.

“E them këtë sepse në sektorin privat nuk mund të diktosh pagat, por në sektorin publik është e mundur. Vetëm duhet te krijohet infrastruktura ligjore dhe vullnet per te vepruar”, është shprehur ai.

Të dy analistët pajtohen se mungon llogaridhënia e kryeshfave të ndërmarrjeve publike para institutcioneve më të larta të shtetit.