Tri faktet që LDK-ja thotë se dëshmojnë përfshirjen e Thaçit në ekstradimin e “gylenistëve”

Tri faktet që LDK-ja thotë se dëshmojnë përfshirjen e Thaçit në ekstradimin e “gylenistëve”

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, besojnë se posedojnë fakte të mjaftueshme që do e dëshmonin përfshirjen e Hashim Thaçit, në arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Driton Selmanaj, deputet i kësaj partie, ka thënë për Insajderin se Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Thaçi do e argumentojë përfshirjen e tij, në atë që ai e quajti “shkelje të sovranitetit”, në rastin e deportimit të gjashtë personave të dyshuar për lidhje me klerikun Fetullah Gylen.

“Vizitat e drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni, tek presidenti Thaçi, mbrotja ndaj drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, falenderimi i Erdoganit ndaj Thaçit”, janë vetëm disa nga gjërat që dëshmojnë përfshirjen e presidentit në arrestimin e tyre.

“Ne kemi parë që ka pasur vizita tek zyra e presidentit të drejtorit të Policisë, mbrojtja e drejtorit të AKI-së, falenderimi i Erdoganit për presidentin Thaci. Këto janë detyrat e Komisionit hetues për zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj shtoi se përveç përgjegjësisë politike, ndaj Thaçit do të ketë edhe përgjegjësi penale, para ligjit në Kosovë.

“Përvec përgjegjesisë politike do të sjell përgjegjësi penale, përvec asaj politike. Është një masë shumë e ngurtë për shkarkimin e tij, e sidomos kur dihet që presidenti Thaçi nuk len gjurmë në gjërat që ai i bën”, tha Selmanaj.

Ai beson që në momentin kur do të vërtetohet se presidenti ka shkelur Kushtetutë, do e kenë edhe përkrahjen AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, parti të cilat së bashku me PDK-në qeverisin me vendin.

Për të, nëse nuk do ekzistojë përkrahja e tyre, atëherë ato do të tregohen si parti antishtetërore.

“Unë besoj që edhe partitë që janë në koalicion me PDK-në, do të vendosin pro votimit të shkarkimit të tij. Kjo për shkak se nëse Gjykata Kushtetuese e vendos që ai ka shkel Kushtetutën atëherë ato nuk duhet të bëhen pjesë e shkelësve të Kushtetuesës. E nëse vendosin që mos ta përkrahin shkarkimin e tij, atëherë këto parti do të dalin anti kushtetuese”, ka thënë Selmanaj./Insajderi.com