KFOR flet për “ndërhyrjen” në veri të Kosovës

KFOR flet për “ndërhyrjen” në veri të Kosovës

KFOR po monitoron nga afër situatën e krijuar në veri dhe po punon për të siguruar një mjedis të sigurt, njofton Insajder.com.

Kështu thonë nga ky mision përmes një deklarate për media, ku shtohet se gjithashtu është rritur numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, e veçanërisht në veri të vendit.

“KFOR po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e këtij misioni të NATO-s.

“KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, shtuhet më tej në njoftim.

Gazeta Shqip ka raportuar gjatë mesditës të së hënës se njësitet e KFOR-it kanë shkuar në zonën neutrale midis Kosovës dhe Serbisë në veri të vendit.

Ata kanë arritur në zonën ku po qëndrojnë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Në fotografitë e publikuara, shihen duke patrulluar ushtarë amerikanë, polakë dhe kanadezë.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, tha se nuk ka informacione se KFOR-i do të ndërhyjë në Veriun e Kosovës.

Ai tha se sot ka pasur një takim me komandatin e KFOR-it së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare. /Insajderi.com