
KFOR-i i ka dhuruar të premten një donacion me pajisje të teknologjisë së fundit Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përcjell Insajderi.com.
Përmes një njoftimi, ky departament ka falënderuar KFOR-in për këtë donacion dhe ka shtuar se me këto pajisje, për studentët janë krijuar mundësi të reja praktike në fushën e teknologjisë.

Pajisjet e dhuruara nga KFOR-i.
“Departamenti i Gazetarisë ka pranuar nga KFOR-i, gjatë ditës së premte një donacion të pajisjeve të cilat kanë ngritur kapacitetin teknik të MediaLab-it dhe kanë krijuar për studentët tanë mundësi të reja praktike me teknologjinë më të fundit. Profesorët e Departamentit e kanë falënderuar KFOR-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Departamentit të Gazetarisë”, thuhet në postim.
Profesoresha e këtij departamenti, Remzije Shahini-Hoxhaj, tha se shpreh mirënjohje që KFOR-i në kohë paqeje është në gjendje gatishmërie për të ndihmuar, raporton Koha.net.
Kurse, prorektorja, Albulena Blakaj theksoi se sa ua lehtëson punën profesorëve e studentëve, kjo ndihmë në Degën e Gazetarisë, është edhe ndihmë ndaj tërë shoqërisë.
Ndryshe, me këto pajisje, laboratori “MediaLab” në Fakultetin Filologjik do të marrë pamjen e një studioje ku do t’iu ndihmojë studentëve që të fitojnë njohuri në transmetimet e drejtpërdrejta dhe online në mënyrë që të jenë gati për tregun e punës./Insajderi.com