KFOR-i gjerman i dhuron FSK-së 44 automjete

KFOR-i gjerman i dhuron FSK-së 44 automjete

Kontingjenti gjerman i KFOR-it në Prizren, pas mbylljes së misionit në këtë qytet do t’ia dhurojë FSK-së 44 automjete, që bashkë me disa pajisje të tjera kapin një vlerë totale prej 330 mijë eurosh.

Në fund të këtij viti, pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, përfundon përdorimi i Kampit Fushor nga ana e ushtarakëve gjerman, të cilët misionin e tyre e kryejnë në kuadër të Trupave Paqeruajtëse të NATO-së.

Autoritet ushtarake të kontingjentit gjerman, njoftuan se ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka kërkuar nga Ministrja Federale e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, dhurimin e pajisjeve dhe automjeteve në përkrahje të ndërtimit efikas të FSK-së për misionin e saj të tanishëm, në këtë rast për operacione civile mbrojtëse.

Oficerja për media, pranë Kontingjentit gjerman të KFOR-it, në Kampin Fushor-Prizren, Denise Alten, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se  FSK-së do t’i dorëzohen 44 automjete për të gjitha terrenet.

Në këtë donacion po ashtu përfshihen edhe një varg pajisjesh speciale për mekanik, pastaj makina sharrë, makina saldimi dhe disa pajisje të tjera.

“Vlera e këtij donacioni kap shumën rreth 330 mijë euro”, ka thënë togerja Alten.

Kontingjentin gjerman i KFOR-it  ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për FSK-në, përfshirë edhe atë në fushën e mjekësisë.

Përkundër tërheqjes nga Prizrenit, Kontingjenti gjerman do të mbetet edhe më tutje në kuadër të KFOR-it. Në këtë kontekst me 2019 do të jenë të stacionuar në Prishtinë, rreth 70 ushtarë gjerman. Kështu Gjermania do të mbetet e pandryshuar në listën e dhjetë vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të misionit të KFOR-it.

Komandanti i Kontingjentit gjerman të KFOR-it, nënkolonel Eric Offermann, ka thënë se në qendër të vëmendjes do të jetë avancimi i mëtutjeshëm i FSK-së.

Kampi i deritashëm të cilin e ka shfrytëzuar KFOR-i gjerman, në një sipërfaqe prej 42 hektarë është planifikuar që më tutje të shfrytëzohet si „Park inovacioni dhe trajnimi“.