KFOR-i thotë se do të qëndrojnë për dy javë Jarinje dhe Bërnjak

KFOR-i thotë se do të qëndrojnë për dy javë Jarinje dhe Bërnjak

KFOR-i ka njoftuar se do të qëndrojë për dy javë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, transmeton Insajderi.com.

Përmes një komunikate, KFOR ka bërë të ditur se pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për targat mes Kosovës dhe Serbisë, kanë shtuar patrullimet e tyre përgjatë rrugëve kryesore.

KFOR

“Në përgjigje të zhvillimeve në Kosovën veriore ditët e fundit, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO tashmë kishte shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve dhe kishte vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Brnjak.

Nga kjo fundjavë dhe për dy javët e ardhshme, KFOR -i do të mbajë një prani të përkohshme të fuqishme dhe të shkathët në zonë, në përputhje me aranzhimin e përmendur dhe në përputhje me mandatin e tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

12 ditë Njësitet Speciale qëndruan në pikat kufitare për ta zbatuar reciprocitetin me targa.

Edhe për targat ka një marrëveshje të përkohshme; veturat nga Kosova dhe Serbia do të iu vendoset stikersa.

Këto targa janë bërë shkak që situata të tensionohet në veri, pas protestave të serbëve lokalë dhe vendosjes së barrikadave nga ana e tyre.

Për këtë KFOR-i do të qëndrojë për dy javë në ato pika kufitare.

Marrëveshja e Brukselit:

Sipas marrëveshjes së arritur të enjten me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Marrëveshja e Brukselit për targat

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.

Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”./Insajderi.com