
Kontingjenti turk i KFOR-it në Kosovë ka rinovuar konviktin e femrave dhe tualetet në Shkollën për Persona me Aftësi të Kufizuara “Nënë Tereza” në Prizren, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot në qytetin e Prizrenit u organizua ceremoni për inaugurimin e projektit të realizuar nën koordinimin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, ndërsa të pranishëm ishin ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, ministri i Administratës Publike i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KTDP), Mahir Yağcılar, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja e KTDP-së, Müferra Şinik, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i KFOR-it turk, Kolonel Numan Baş, drejtori i Institutit Yunus Emre Prishtinë (YEE), Mehmet Ülker, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran, si dhe mësimdhënës, nxënës dhe prindër.
Në fjalën e tij, ambasadori Sakar theksoi rëndësinë e edukimit cilësor për nxënësit me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Me mbështetjen e ushtrisë sonë heroike, shpresoj që mangësitë kryesore në shkollë do të tejkalohen dhe që rinovimet e ndryshme do të kontribuojnë në jetën arsimore të nxënësve tanë. Ne si Turqi, do të vazhdojmë të jemë pranë vendit miqësore dhe vëllazëror Kosovës dhe të tregojmë përpjekjet e nevojshme për forcimin e mëtejshëm të Kosovës në të gjitha fushat”, tha Sakar.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Haskuka, tha se investimet që bëhen për fëmijët janë të mira për të ardhmen.
“Në emër të të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe familjeve, unë falënderoj Turqinë për mbështetjen veçanërishtnë fushën e arsimit”, theksoi Haskuka.
Nga ana tjetër, shefi i KFOR-ti turk, Baş, tha se që nga vendosja në vitin 1999, ushtria turke ka mbështetur Kosovën në çdo fushë.
“Duke u nisur nga parimi se arsimi është garancia e të ardhmes së një vendi, kontingjenti turk bën përpjekje të mëdha për realizimin e projekteve për përmirësimin e mundësive arsimore të Kosovës, e cila ka popullsi të re dhe dinamike. Projektet në fjalë janë tregues i dashurisë dhe interesimit të popullit turk për popullin e Kosovës”, u shpreh Baş.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit u realizuan edhe valle popullore nga nxënësit me aftësi të kufizuara, të cilat u mirëpritën nga mysafirët.