Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë – KFOR – kanë vendosur barrikada të reja në rrugën që kalon pranë Manastirit të Deçanit. Për më shumë se tri ditë, që nga fillimi i javës në këtë rrugë kishte punime të cilat janë bllokuar me përforcimin e barrikadave të vendosura nga ky mision.
Ndonëse nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Deçanit thonë se pas një keqkuptimi të ndodhur të hënën, shumë shpejt është qartësuar dhe situata ka vazhduar normalitetin sa i përket këtyre punimeve, nga KFOR e thonë të kundërtën.
“Të martën gjatë zhvillimeve të punimeve në këtë pjesë ka ndodhur një keqkuptim i çastit i cili shumë shpejt është qartësuar dhe situata ka vazhduar normalitetin”, tha për Gazetën Online Insajderi, drejtori i kësaj drejtorie, Izet Zenuni, duke mos u përgjigjur se për çfarë keqkuptimi bëhet fjalë.
Por ndryshe nga Komuna e Deçanit, KFOR thotë se punimet janë bllokuar për shkak të mosrespektimit të kushteve për të cilat është rënë dakord sa i përket Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura që garanton mbrojtjen e manastireve, kishave e vendeve të tjera fetare, historike e kulturore.
Edhe pse kjo u bë për qëllim të mbrojtjes së Manastirit, KFOR thotë se punimet në këtë zonë do të rinisin pas zgjedhjes së problemeve teknike.
“Punimet u bllokuan pasi nuk u respektuan kushtet e rëna dakord në fazën e projektimit për ekzekutimin e punëve nga ndërmarrja që vepron; në veçanti në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin për Zonën e Veçantë Mbrojtëse (Ligji 03 / L-039, neni 6) i cili garanton mbrojtjen e manastireve Ortodokse Serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për Serbët komuniteti në Kosovë, si dhe komunitetet e tjera në Kosovë”, thotë për Insajderin zëdhënësi i këtij misioni, Antonio Minutella.
Ai më tej kujton se ky ligj synon të mbrojë nga çdo zhvillim ose veprimtari që mund të dëmtojë kontekstin historik, kulturor, arkitektonik ose arkeologjik, mjedisin natyror ose mjedisin estetik.
“Punimet me siguri do të rinisin sapo të zgjidhen problemet teknike. Të gjitha vendet e trashëgimisë fetare dhe kulturore janë të vlefshme për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në ruajtjen e tyre”, shtoi ai.
Redaksia ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, që me vendosjen e tankut në vendin e ngjarjes kuptohet se punimet janë ndaluar në atë zonë.
Ky ndalim ka nxitur reagim nga ana e qytetarëve, të cilët konsiderojnë se nuk është dashur të vendosen fare këto barrikada. /Insajderi.com