Kiçmari: Hapja e ambasadës në Jerusalem, jo e lehtë për marrëdhëniet me vendet tjera

Kiçmari: Hapja e ambasadës në Jerusalem, jo e lehtë për marrëdhëniet me vendet tjera

“Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ka konotacione jo të lehta për statusin e Kosovës më vendet e tjera, por kjo situatë është e menaxhueshme”.

Kështu ka vlerësuar ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, i cili ka thënë se hapja e kësaj ambasade është akt politik dhe tashmë i premtuar nga kryeministri në detyrë.

Ish- ambasadori është shprehur se qeveria e ardhshme do duhet të zhvillojë biseda me miqtë tjerë të Kosovës si Turqia dhe disa vende arabe që janë kundër hapjes së ambasadës në Jerusalem.

“Miqtë tanë, ShBA-të e kanë po ashtu ambasadën në Jerusalem dhe kjo e lehtëson këtë pozicionim të Republikës së Kosovës, ndërsa me miqtë tjerë pra me Turqinë dhe vendet arabe kërkohet nga ministri ose ministra e ardhshme që do ta marrë mandatin, që të komunikojnë me diplomacinë turke dhe arabe për të shpjeguar elementet dhe argumentet që kanë ndikuar që Republika e Kosovës ta hap ambasadën në Jerusalem, dhe jam shumë i bindur që argumentet tona qëndrojnë dhe miqtë tanë do t’i kuptojnë ato”, ka theksuar ai për EO.

Tutje, ish-ambasadori ka pohuar se krejt debati për hapjen e ambasadës atje ishte i natyrshëm, dhe se reagimet janë mese normale. Por, sipas tij, çështja është e përfunduar dhe ambasada tashmë ka filluar punën.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington ku Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës. Edhe Bashkimi Evropian ka dalë kundër që Kosova të hap ambasadën në Jerusalem./Insajderi.com