KIPRED: Mediat serbe dhe ruse e paraqitën Kosovën si shtet të dështuar

KIPRED: Mediat serbe dhe ruse e paraqitën Kosovën si shtet të dështuar

Instituti kosovar për kërkime dhe zhvillime të politikave kosovare ‘KIPRED’ ka publikuar raportin për fushatën dezinformuese të mediave ruse dhe serbe kundër Kosovës për vitin 2020, të cilët u munduan ta paraqesin Kosovën shtet të dështuar, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftim, nga monitorimi i të dhënave nga mediat e përzgjedhura serbe, nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar tregojnë se janë publikuar katër mijë e 800 lajme në mënyrë të drejtpërdrejtë që kishin të bëjnë me Kosovën, lajme këto që kishin dezinformata dhe synonin krijimin dhe forcimin e narrativave për lëkundjen e themelit të shtetësisë së Kosovës.

“Duke e paraqitur Kosovën si një shtet të dështuar dhe problematik që është shndërruar në ‘një shtet të mafisë’ dhe vatër të krimit të organizuar, të trafikimit dhe radikalizmit, i cili po ashtu e shtyp komunitetin lokal serb, e planifikon dëbimin e tij përmes operacioneve sekrete ushtarake, dhe e rrezikon trashëgiminë e Kishës Ortodokse në vend”.

KIPRED theksoi se këto lajme synonin ndryshimin narrativ për Luftën e Kosovës, duke mohuar krimet e luftës së Beogradit në Kosovë dhe paraqitur serbët si viktima të NATOS dhe UÇK-në si një formacion ushtarak islamist”. /Insajderi.com