
Gjykata e Apelit ka njoftuar sot se ka miratuar ankesën e Prokurorisë Speciale në rastin e rastin e Qemajl Mustafës dhe 38 të akuzuarve tjerë.
“Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 30.11.2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës janë refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.
Por për çka po akuzohet Mustafa dhe 38 shokët e tij
Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon 39 të akuzuarit me veprat penale – krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.
Bashkë me ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa, po akuzohen edhe Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Iljaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi,Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Nazim Jashari.
Për krim të organizuar lidhur me veprën e keqpërdorimit në ekonomi, të akuzuar në këtë rast janë edhe Basri Kqiku, Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skënder Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani, dhe Asllan Syla.
Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të 2016.
Pjesë e kësaj aktakuze përpos zyrtarëve të Komunës së Gjilanit janë edhe disa biznesmenë.
Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit në Komunën e Gjilanit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ish kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.