Kjo është marrëveshja që duan VV nëse bëjnë koalicion me LDK-në

Kjo është marrëveshja që duan VV nëse bëjnë koalicion me LDK-në

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin “DPT te Fidani”, ka treguar se si e do partia e tij marrëveshjen për koalicion me LDK-në.

Konjufca ka treguar se dje ai dhe nënkryetari tjetër, Besnik Bislimi, janë takuar me anëtarët e kryesisë së LDK-së, Kujtim Shalën dhe Avdullah Hotin. Ai thotë se pritet një takim tjetër mes tyre, e që duhet të jetë definitiv.

“Jemi marrë vesh që takimi i ardhshëm me qenë i prerë dhe të mbahet ditëve në vijim”, thotë Konjufca në DPT.

Ai ka treguar se plani i VV-së është që LDK-së t’ia lë dy pozitat e para shtetërore, që sipas Kushtetutës janë Presidenti e Kryetari i Kuvendit.

“LDK me marrë të parin edhe të dytin, VV me marrë postin e tretë kushtetues që është kryeministri. Edhe për një arsye të thjeshtë, VV-ja nuk ka qeverisur kurrë”, ka thënë Konjufca.

“Jam i bindur se do të bëhet koalicioni me LDK-në”, thotë tutje nënkryetari i VV-së.

Ai shton se kandidati për kryeministër duhet të jetë nga VV-ja sepse beson që Albin Kurti do të fitonte përpara secilit kandidat të mundshëm nga LDK-ja.

“Merre secilin prej figurave kryesore të LDK-së kundrejt Albin Kurtit, Kurti del fitues”, thotë Konufca. / Insajderi.com