Kjo është pasuria e deputetit që hyri në politikë nga shoqëria civile

Kjo është pasuria e deputetit që hyri në politikë nga shoqëria civile

Driton Selmanaj është një prej deputetëve të rinj. Si deputet i LDK-së, ai është për herë të parë përfaqësues i popullit në Kuvendin e Kosovës, tani që është legjislatura e gjashtë me radhë që prej themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Selmanaj ashtu si edhe kolegët e tjerë deputetë ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Selmanaj ka deklaruar si pasuri të palujtshme shtëpinë me sipërfaqe 300 metra katrorë në vlerë 150 mijë euro, të blerë në vitin 2000 nga kursimet familjare dhe asistenca e vëllait në Zvicër. Po ashtu, Selmanaj ka deklaruar një banesë me sipërfaqe 63 metra katrorë të blerë nga kursimet dhe kredimarrja në vitin 2012 me vlerë 49,795 euro. Shtëpia është në emër të prindit, kurse banesa është në emër të tij.

Si pasuri të lujtshme, deputeti ka deklaruar veturën BMW 320 të blerë në vitin 2015 me vlerë 5 mijë euro dhe veturën Fiat Punto të blerë në vitin 2009 me vlerë 4 mijë euro. Të dy veturat janë në emër të tij.

Selmanaj nuk posedon aksione në kompani private dhe as letra me vlerë. Derisa në banka ka të deponuara 900 euro në emër të tij në Pro Credit Bank dhe 2800 euro në Raiffeisen Bank, kurse në emër të bashkëshortes ka të ruajtura 400 euro.

Deputeti Selmanaj ka detyrime financiare ndaj bankave gjegjësisht në Raifeisen Bank për renovim banese për periudhën 2018-2021 në vlerë 19 mijë euro dhe te NTP Hoxha për blerje të banesës 14.695 euro për periudhën 2012-20121. Të dy kreditë janë në emër të tij.

Nga të hyrat vjetore, Selmanaj ka deklaruar pagën në Kuvendin e Kosovës 1400 euro, pastaj kompensimin për punë në komisione parlamentare 400 euro, si dhe pagën e bashkëshortes në MKRS-Instituti Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve 407 euro. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe pensionet e prindërve, njëri 180 euro, kurse tjetri 75 euro.