Klinaku: Haradinaj tha se po e dërgojnë në Hagë – nga dje nuk kam kontaktuar me të

Klinaku: Haradinaj tha se po e dërgojnë në Hagë – nga dje nuk kam kontaktuar me të

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se që nga nata e mbrëmshme kur Nasim Haradinaj e ka telefonuar avokatin e tij për t’i treguar se po e nisin për në Hagë, nuk ka mundur të kontaktojë më me të, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur ai për Klan Kosovën, i cili tregon se komunikimi i fundit me të ishte rreth orës 19:00.

“Neve vet na ka thirr Nasim Haradinaj dhe ka thënë se po më dërgojnë atje (në Hagë) dhe më nuk kemi mundur të komunikojmë me të dhe Hysni Gucatin”.

“Diku kah ora 19:00 ka komunikuar me avokatin e tij (Tomë Gashin) në kohën sa ishin pjesëtarët e EULEX-it enda brenda zyrave të OVL-së. Sot kam provuar të kontaktoj me ta, por me siguri nuk kanë qasje”, ka thënë ai.

I pyetur rreth reagimeve të Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti Kosovën, Faton Klinaku ka thënë se këto reagime janë bërë vetëm sa për sy e faqe. /Insajderi.com