Ushtruesi i detyrës së kreut të Organizatës së Vetëranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka deklaruar se nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj, do t’i konfirmohet aktakuza më 11 dhjetor nga Gjykata Speciale në Hagë, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Klinaku është shprehur se sipas avoaktit të Haradinajt, Bas Martens, me datën 15 dhjetor do të mbahet seanca gjyqësore.
“Në bazë të avokatit të Nasim Haradinajt, Bas Martens, me datën 11 dhjetor 2020 konfirmohet aktakuza, ndërsa me datën 15 dhjetor 2020 do të mbahet seanca gjyqësore”, ka shkruar ai.
Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Arrestimi i tij erdhi pasi nga zyrat e OVL të UÇK-së u shpërndanë dosje të Speciales në lidhje me të akuzuarit dhe dëshmitarët, të cilat u dorëzuan nga persona të panjohur./Insajderi.com