Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka deklaruar se në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Sabit Geci, si dhe në atë të Darko Tasiçit, i dënuar pë krime lufte në Kosovë, ka ndërhyrje politike, shkruan Insajderi.
Në një postim në Facebook, Klinaku ka reaguar pasi Tasiçit i është ulur dënimi nga 22 në 11 vjet, ndërkohë që Sabit Geci, sipas familjarëve, me vendim të një gjyqtari serb është rikthyer në Burgun e Dubravës.
“Për vrasjet e fëmijëve, grave, pleqve e burrave, ku dëshmitarët kanë dëshmuar se Darko Tasiç dhe babai i tij kanë drejtuar një kamion portokalli që mbante trupa të pajetë, duke i vënë flakën dhe duke e shtyrë atë në Lumin Drini pas masakrës në Krushë e Vogël, nga 22 vjet i ulet dënimi në 11 vjet”.
“Ndërkohë Sabit Geci, që sipas familjarëve, me vendim të një gjyqtari serb rikthehet në burg, tregon se në të dyja rastet ka ndërhyrje politike”, ka shkruar ndër të tjera ai. /Insajderi.com