Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku i ka dërguar mesazh Prokurorisë Speciale në Hagë lidhur me dokumentet që ajo i kishte dërguar në zyrat e kësaj organizate, të cilat drejtuesit e kësaj të fundit pastaj i patën publikuar në media, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Klinaku është shprehur se nuk do të mbajnë fshehur “skandalet” e Prokurorisë në Hagë pasi për këtë “nuk e kemi asnjë detyrim”.
“Për Prokurorinë e Specializuar në Hagë: Po habitem me amatorizmin tuaj – Ne as nuk kemi publikuar e as nuk publikojmë asgjë. Ne ua kemi ofruar mediave për publikim dhe do t’ua ofrojmë përsëri. Nuk do t’i mbajmë fshehur skandalet e juaja sepse nuk e kemi asnjë detyrim për këtë”, ka shkruar ai.
Dy drejtuesit e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po mbahen në paraburgim në Hagë.
Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 11 dhjetor 2020.
Ata akuzohen për “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”./Insajderi.com