Shtatë mijë e 597 lindje janë shënuar që nga janari i këtij viti deri në fillim të muajit nëntor në Klinikën e Gjinekologjisë, ku prej tyre dy mijë e 725 ishin me prerje cezariane, ndërsa pjesa tjetër – me lindje normale, transmeton Insajderi.
Këto të statistika i ka dhënë drejtori i kësaj klinike, Jakup Ismajli, i cili tutje ka folur për punën që është bërë në këtë klinikë në kohë të pandemisë.
“Nga fillimi i vitit deri më sot kemi pasur 7 597 lindje, prej tyre me prerje cezariane janë 2725, ndërsa pjesa tjetër ka qenë me lindje normale. Pandemia është një sëmundje e re e cila e ka përfshirë tërë globin, mirëpo edhe ne kemi pasur disa sfida të vogla por që me angazhimin e të gjithëve ia kemi dalë që ta përballojmë edhe këtë sfidë”.
“Numri i lindjeve krahasuar me vitet e tjera është normale, duke pasur parasysh që në këtë kohë të pandemisë një numër i madh i lindjeve kanë përfunduar edhe në spitalet regjionale dhe në ato private, kështu që mund të themi nuk kemi rënie të lindjeve krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë ai për EO.
Ai ka thënë se nga fillimi i pandemisë kanë pasur 63 pacientë të shtrirë në këtë repartin e dedikuar për Covid-19, ku prej tyre kenë pasur 33 lindje, 13 kanë qenë me lindje normale, ndërsa 20 me prerje cezariane.
Aktualisht thotë se në Gjinekologji janë vetëm katër gra të prekura me Covid-19, ku dy prej tyre janë lehona, ndërsa dy tjerat janë në javën 30 të shtatëzanisë.
“Nga fillimi i pandemisë ne kemi bërë një repart të improvizuar për përfundimin e lindjeve cezariane, ku nga fillimi i kemi pasur 63 pacientë të shtrirë në këtë repartin e dedikuar për Covid-19, prej tyre kemi pasur 33 lindje, 13 kanë qenë me lindje normale, ndërsa 20 me prerje cezariane, kurse pjesa tjetër kanë qenë shtatzëna të cilët iu kemi përcjellë shtazanin dhe pas përmirësimit të gjendjes janë liruar për në shtëpi. Për momentin në Klinikë i kemi 4 gra shtatzëna me Covid-19, dy prej tyre janë lehona që kanë lindur, ndërsa dy tjerat janë në javën 30 të shtatzënisë. Gjendja e tyre është stabile”, thotë ai. /Insajderi.com