Klinika Infektive pa shtretër të lirë, kërkohen masa të reja

Klinika Infektive pa shtretër të lirë, kërkohen masa të reja

Klinika Infektive ka përmbushur kapacitetet spitalore tash e disa ditë. Me rritjen e numrit të rasteve të reja, kjo klinikë ka mbetur pa asnjë shtrat të lirë brenda saj, transmeton Insajderi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, ka propozuar që të merren masa të reja që të menaxhohet mirë kjo situate, duke njoftuar se po bëhet gati edhe Klinika Interne për trajtimin e rasteve.

Sadiku ka thënë para mediave se kërkesat për shërbime janë shumë të mëdha, ndërkohë që brenda ditës janë duke u trajtuar mbi 120 raste.

“Në Klinikën Infektive që disa ditë lirohen disa dhe pranohen disa gjatë ditës. Por, shtretër të lirë për të qëndruar për disa orë nuk ka, zakonisht në katër-pesë ditë e fundit më nuk kemi asnjë shtrat të lirë që qëndron i lirë. Për shkak se kërkesat janë shumë të mëdha. Është rritur edhe numri i pacientëve në klinikat tjera, gjë që tregon se orientimi i parë është Infektiva”, ka thënë ai, raporton KP.

Sadiku është shprehur se trendi i rritjes së numrit të rasteve me virusin, ende jo plotësisht të njohur, tregon se duhet të merren masa të reja.

“Për shkak se marrja e masave varet nga kapacitet spitalore të çdo shteti. Dhe ne realisht tani kemi në bazë të informatave të fundit, në kufi të masave dhe të shfrytëzimit të spitaleve. Ka filluar edhe Klinika Interne të përgatitet për lirim të pacientëve. Kjo tregon që ti nuk guxon me tejkaluar kapacitetet spitalore që i ka. Sigurisht që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është duke i bërë përgatitjet që të pranojë të gjithë pacientët. Por, unë mendoj që nëse ky trend vazhdon dhe rritet numri i rasteve të reja pozitive, duhet të analizohet edhe marrja e masave që sigurisht cila do formë që do të jetë, mendoj që duhet të merren forma më e përshtatshme që është”. /Insajderi.com