Klinikat dhe spitalet të stërmbushura me pacientë të infektuar

Klinikat dhe spitalet të stërmbushura me pacientë të infektuar

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, deklaroi se përkundër se gjatë kësaj jave ka pasur një rënie të lehtë të shifrave të të infektuarve me COVID-19, klinikat e QKUK-së dhe repartet e spitaleve ku po trajtohen pacientët e infektuar, vazhdojnë të jenë të stërmbushura.

Krasniqi tha se edhe më tutje po vazhdon trajtimi i pacientëve me COVID në pesë klinikat e QKUK-së dhe në shtatë spitalet regjionale.

“Edhe më tutje gjendja paraqitet e ngarkuar nëpër spitalet dhe klinikat tona. Janë me numër të madh të pacientëve….Edhe pse numri ditëve të fundit është më i vogël, krahasuar me javën e kaluar kur kishim deri në 900 pacientë që merrnin trajtime nëpër spitalet tona, ky numër vazhdon të jetë i lartë dhe klinikat tona janë të stërmbushura me pacientë. Aktualisht në të shtatë spitalet regjionale, kemi pacientë që janë duke u trajtuar. Ndërkohë që në Qendrën Universitare kemi pesë klinika që po trajtojnë: Klinikën Infektive, Klinikën e Mushkërive, objektin e Mjekësisë Sportive, bllokun e Klinikave Internistike, si dhe MIQ COVID-in apo repartin intensive”, pohoi ai për Kp.

Sipas tij, varianti i ri britanik ka treguar se është më shpejt i përhapur, por që numri i pacientëve që janë të shtrirë nuk dallon shumë nga viti i kaluar kur ky variant nuk ka qenë i pranishëm në vendit tonë.

E duke ditur tashmë se buxheti për listën esenciale është zvogëluar, drejtori i SHSKUK-së, tha se aktualisht janë mirë të furnizuar me terapi, por shtoi se edhe tutje vazhdon të mungojnë Remdesivir dhe Favipiraviri të cilët janë barna antiviral.

Krasniqi shton se pret që të rritet buxheti për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, në veçanti linjat buxhetore për barna dhe material shpenzues nga lista esenciale.

“Aktualisht ne jemi mirë të furnizuar me barna, sa i përket barnave që trajtohen pacientët COVID, me përjashtim të Remdesivirit dhe Favipiravit, të tjerat i kemi në dispozicion. Po ashtu, Tusilicumap kemi siguruar dhe kemi lidhur kontratën e re, dhe po ashtu edhe barnat tjera i kemi në dispozicion. Ne presim që të shtohet buxheti për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, në veçanti buxheti për barna dhe material shpenzues nga lista esenciale”, tha Krasniqi./Insajderi.com