Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka thënë se nuk ishte present në takimin e sotëm të gastronomëve me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Tahiri, madje siç thotë ai, kjo Shoqatë në këtë takim nuk ishte dhe nuk është përfaqësuar nga përfaqësuesit e saj, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Kllokoqi thotë se pa i përmbushur kërkesat e tyre, gastronomët nuk e shohin të nevojshëm takimin.
“Unë kam shumë respekt për Z. Tahiri, ishte një prej qeveritarëve që më së shumti i qëndroi në krah gastronomisë, për çka e falënderoj nga zemra. Gjithashtu e kam edhe shok të mirë, mirëpo sot nuk isha prezent në Objektin e Qeverisë sepse dje ia ndaluam qeveritarëve kafetë, e sot nuk munda t’i qes poshtë të gjithë Gastronomët (dje ndalo, e sot vrap në Qeveri). Përndryshe Shoqata e Gastronomëve nuk ishte dhe nuk u perfaqësua nga përfaqësuesit e saj. Thjeshtë, pa i përmbushë kërkesat tona, nuk e shohim të nevojshëm takimin…”, ka shkruar Kllokoqi.
Ashtu siç ka paralajmëruar dje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka pritur në takim ‘përfaqësuesit e gastronomëve’, të cilëve u ka dhënë sqarime për masat e reja të miratuara nga Qeveria.
Tahiri ka ftuar ata në takim pasi gastronomët shprehen pakënaqësi për masat e Qeverisë, duke shpallur persona “non-grata”, kabinetin qeveritar dhe duke paralajmëruar se nuk do ju shërbejnë kafe atyre. /Insajderi.com