Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas vdekjes mbrëmë të burgosurit R.S në kliniken e Neurogjisë së Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, pas trajtimeve që po merrte për kancer malinj, njofton Insajderi.
“I burgosuri R.S. që ishte në vuajtje të dënimit nga viti 2016 ishte trajtuar brenda Stacionarit në Burgun e Dubravës për t’u dërguar pastaj në Klinikën e Neurologjisë, ku ka qenë i shtrirë e cila tërë kohën ka bashkëpunuar me Klinikën e Onkologjisë për trajtimit e tumorit dhe të metastazave, mirëpo për shkak të rritjes së masës së tumorit dhe metastazave të shumta, gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar shumë andaj edhe ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
KMDLNJ ka thënë se ky rast është në mesin e 25 rasteve të ngjashme që kanë ndodhur që nga fillimi i pandemisë.
“ Duhet të theksohet se ky rast ishte në mesin e 25 rasteve të ngjashme që, me fillimin e pandemisë ishte dërguar te gjykata dhe institucionet tjera kompetente duke kërkuar lirimin e tyre por se ishte refuzuar në mungesë të aktit përkatës ligjor”, bëhet e ditur nga ky këshill.
Siç njofton KMDLNj, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, përkundër vullnetit, nuk ka kapacitete profesionale të mjaftueshme të trajtojë raste me diagnoza terciare kurse trajtimi në Klinikat përkatëse përcillet me shumë pengesa dhe probleme, nga ato logjistikie, deri të ato të sigurisë.
Ky këshill ka propozuar që të formohet një Komision i Pavarur Shëndetësor që do të trajtonte këto raste dhe i cili do të dilte me propozime konkrete, jo për pezullim të përkohshëm të dënimit, por për ndërprerje të dënimit.
“Nga kjo ndërprerje do të përjashtoheshin kryerësit e veprave skajshmëriste me rrezikshmëri të lartë dhe që paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme e që do të duhej të saktësohej me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale”, thuhet ne njoftim.
KMDLNj propozon që të amandamentohet Ligji mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në mënyrë që të dënuarit me diagnoza terciare do të liroheshin nga vuajtja e dënimit ose dënimi do t’iu zëvendësohej me një masë tjetër e që më i përshtatshmi do të ishte arresti shtëpiak.
“Shteti, përveç ndëshkimit për kryerësit e veprave penale që parashihen me ligjet në fuqi, duhet ta ketë parasysh edhe aspektin humanitar për raste që pashmangshëm përfundojnë me fatalitet për të burgosurit përjashtuar rasteve që u cekën në lartë dhe që, në Ligjin e rishikuar do të saktësoheshin qartë duke krijuar një bazë ligjore”, është shkruar tutje. /Insajderi.com