KMDLNj akuzon Specialen se nuk po i gjykon drejt ish-udhëheqësit e UÇK-së

KMDLNj akuzon Specialen se nuk po i gjykon drejt ish-udhëheqësit e UÇK-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar kundër Gjykatës Speciale në Hagë, pasi sipas tyre, shtatë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po gjykohen padrejtësisht, njofton Insajderi.

KMDLNj ka kërkuar që të trajtohen në përputhje me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, të cilëve edhe u është refuzuar kërkesa për mbrojte në liri.

“Materialet që iu janë dorëzuar të akuzuarve janë përkthyer vetëm pjesërisht, ndërsa Gjykata Speciale deklaron vazhdimisht se materialet po përkthehen. Ende, në disa raste, të akuzuarve nuk iu është dorëzuar arsyetimi i plotë i aktakuzës në gjuhën shqipe dhe për këtë nuk kemi asnjë reagim nga i ashtuquajturi Ombuds person i kësaj Gjykate që ka mandat të mbrojë të drejtat e të akuzuarve”.

KMDLNj ka përmendur se Kryeprokurori i Speciales, në disa raste ka shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, se të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm e cila paraqet trysni te Gjykata të mos marrë vendim për mbrojte në liri për të akuzuarit.

Në reagim thuhet se mund të llogaritet si trysni për trupin gjykues duke i konsideruar fajtorë të akuzuarit, ende pa fillur gjykimi, “e cila është e patolerueshme e që nuk pati reagim nga institucionet brenda gjykatës dhe as nga ato kosovare”.

“Shkeljeve të drejtave të njeriut të personave të akuzuar po i kontribuon edhe kryetarja e kësaj gjykate , Ekaterina Trandafilova, e cila në çdo paraqitje po i demonizon të akuzuarit duke deklaruar se duan ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale edhe si të paraburgosur që janë e që është nonsens dhe ndërhyrje flagrante kundër të akuzuarve”, thuhet në njoftimin për media.

Nga këshilli kërkohet që të respektohet e drejta e përdorimit të gjuhëve zyrtare, kërkon që të përfillet kërkesa e të akuzuarve dhe avokatëve mbrojtës të furnizohen me kohë nga Prokuroria dhe Gjykata me materiale që ndihmojnë në përgaditje të mbrojtjes.

KMDLNj ka bërë thirje për Prokurorinë, Gjykatën dhe posaqërishtë kryetaren e Gjykatës për të mos shkelur parimin e prezumimit të pafajësis ose do të konsiderohet ndërhyrje flagrante në punën e Gjykatës.

Së fundmi ka kërkuar që palët të rezervohen nga deklaratat që të mos u shkelet e drejta e personave të priviligjuar nga liria e cila mund të ndikojë në vendimin e Gjykatës. Kjo e fundit pas provave do të marrë vendim, lirues ose fajësues./Insajderi.com