KMDLNj: Liturgjia e sotme e mbajtur nga serbët, provokim politik

KMDLNj: Liturgjia e sotme e mbajtur nga serbët, provokim politik

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar pas liturgjisë së sotme të mbajtur nga serbët në kishën e cila gjendet në oborrin e kampusit e Universitetit të Prishtinës, shkruan Insajderi.

Ky këshill ka thënë se rastin e mbajtjes së liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar, e konsideron si provokim.

“Kisha Ortodokse serbe, e sigurt se për shkak të ndjeshmërisë së situatës politike në Kosovë askush nuk do të intervenojë e ka keqpërdorur për qëllime politike një aktivitet shpirtërorë dhe fetar. Këso aktivitete nuk duhet të lejohen në të ardhmen aq më parë që në Prishtinë dhe rrethinë ka hapësira të mjaftueshme dhe funksionale për ushtrim të aktiviteteve fetare. KMDLNj tërheq vërejtjen se këto veprime provokuese të KOS – mund dhe do të provokojnë reagimin e studentëve të UP-së, me pasoja të paparashikueshme. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë që të parandalojnë eskalimin e situatës ndryshe do të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme”, thuhet  në reagim.

KMDLNJ ka deklaruar se ky këshillë e respekton të drejtën e ushtrimit të fesë, por e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike.

“Kjo kishë që moti është dashur të zhvendoset nga ajo hapësirë dhe vetëm oportuniteti politikë i politikanëve vendorë dhe kërcënimi i faktorit ndërkombëtarë e ka mbajtur mbi këmbë. KMDLNj e njeh dhe respekton të drejtën e ushtrimit të drejtave dhe lirive fetare për të gjithë besimtarët në bazë të bindjeve dhe vullnetit por e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike”, thuhet me tej në reagimin e KMDLNj-së./Insajderi.com