KMDLNJ: MSH-ja luan avokatin e një laboratori privat që ka monopol

KMDLNJ: MSH-ja luan avokatin e një laboratori privat që ka monopol

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit, ku dje u publikuan fotografi të pagesave prej 200 euro të testimeve për COVID-19 me metodën PCR, në një laborator privat, e që sot pati reagime edhe nga Ministria e Shëndetësisë të cilët arsyetuan çmimin e vënë ky laborator, njofton Insajderi.

Nga KMDLNj thonë se në vend se Ministria e Shëndetësisë të kërkoi hetime për këtë çmim, ajo në fakt e luan rolin e Avokatit të këtij laboratori duke e arsyetuar çmimin me kohën e shkurtër të analizës dhe rezultateve. Ky veprim i Ministrisë së Shëndetësisë përveç se është konflikt i pastërt interesti, në të njëjtën kohë është i liruar nga çdo skrupull, moral, profesional dhe institucional. Ministria e Shëndetësisë është e detyruar të krijojë politika për mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve e jo të mbrojë intereset e laboratoreve private që janë licencuar , pa siguruar asnjë transparencë , pa një mbikëqyrje efektive të punës së tyre dhe pa ofruar fare llogaridhënie.

“Që nga shpërthimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19,  Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete të konsiderueshme nga Buxheti i Kosovës,  si për ministrinë e udhëhequr nga ministri Vitia ashtu edhe nga ministria e udhëhequr nga ministri Zemaj sikur që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare , në para dhe materiale shëndetësore por se situata vetëm sa është përkeqësuar, është rritur shumë numri i të infektuarve e sidomos atyre që kanë përfunduar me fatalitet”.

“Në vend se shteti të investojë në fuqizimin e institucioneve shëndetësore  publike duke e rritur numrin e testeve pa pagesë  ( të cilat janë më të ulët në rajon ), janë licencuar shkel e shko shumë laboratore private që nuk kanë as kapacitet e as ekspertizë të mjaftueshme për këtë duke krijuar situatë sikur në Shkodër ku testin për Covid-19 mund ta merrni për aq kohë sa ta porosisni një hamburger për një shumë të caktuar parash, me rezultat pozitiv nëse ju hynë në punë apo negativ,  sipas të njëjtit parim. Ministria e Shëndetësisë,  në vend se të rrisë numrin e testeve e që do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të  pandemisë sikur edhe do të kursente qytetarët e Kosovës nga shpenzimet që janë përgjegjësi e Shtetit,  duke e mbajtur numrin e testimeve afërsisht 450-500 e kohëve të fundit edhe duke e ulur këtë numër i detyron qytetarët e Kosovës të shkojnë në laboratoret private që ia bëjnë si të duan dhe çka të duan”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje theksohet se KMDLNj ka informata se ka gatishmëri të një përkrahjeje ndërkombëtare në mënyrë që numri i testimeve të rritet në 5000 – 6000 testime në ditë, të bëhen falas por se pret kundërshtim në realizimin e këtij projekti nga grupet e interesit që nuk kanë interes të fuqizohet shëndetësia publike. /Insajderi.com