KMDLNj për shtrenjtimin e rrymës: Është diskriminim në baza etnike

KMDLNj për shtrenjtimin e rrymës: Është diskriminim në baza etnike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj), vlerëson se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, është diskriminim i konsumatorëve në baza etnike.

Kjo pasi që shqiptarët janë pagues të rregullt të faturave të rrymës, ndërsa serbët e Veriut nuk paguajnë fare.

E sipas KMDLNj-së, kjo është kundër të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Me futjen në lojë të tarifave diskriminimi i qytetarëve thellohet edhe më shumë sikur që e humbë kuptimin zbatimi i çdo ligji që garanton barazi duke ndarë qytetarë në grupe , ata që shpenzojnë deri në 600 kW, ata që shpenzojnë deri në 800 kW, ata deri në 1000 kW dhe shpenzuesit tjerë”.

“Për këta që shpenzojnë deri në 600 kW ka subvencionim kurse qytetarët e dorës së dytë dhe të tretë sipas ZRRE –së dhe qeverisë së Kosovës e që shpenzojnë 800, 1000 e më shumë kW përveç çmimeve të kripura do të ketë edhe shtesa ndëshkuese që , përveçse është e kundërligjshme , është e pamoralshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Mes tjerash, KMDLNj ka kërkuar nga deputetët që ta kundërshtojnë ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

“KMDLNj thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë fuqishëm legalizimin e plaçkitjes së qytetarëve të Kosovës nga KEDS –i dhe ZRRE sikur edhe diskriminimin flagrant në baza etnike”.

“Nga qeveria e Kosovës kërkon ta tërheq kërkesën e ZRRE –së për rritje të çmimit të propozuar të energjisë elektrike duke lejuar një çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm sikur edhe ta ndërprejnë urgjentisht pagesën për rrymën e shpenzuar për serbët e veriut të Kosovës dhe të shërbimeve tjera sepse nuk kanë bazë ligjore për këtë dhe po diskriminojnë në baza etnike dhe raciste mbi 93 % të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%./Insajderi.com