KMDLNJ: Të hapen pika të tjera në Prishtinë për vaksinimin e qytetarëve

KMDLNJ: Të hapen pika të tjera në Prishtinë për vaksinimin e qytetarëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të hapen pika të tjera në Prishtinë për vaksinimin e qytetarëve, në mënyrë që të mos detyrohen të presin me orë të tëra, shkruan Insajderi.

KMDLNJ ka kërkuar që të rritet edhe numri i vaksinave.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të rrisë me urgjencë pikat e vaksinimit aq më parë që në një të ardhme të afërt Kosova do të furnizohet me një numër të konsiderueshëm të vaksinave e që nënkupton se edhe numri i qytetarëve të moshave të ndryshme do të rritet shumë”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se mënyra e deritashme e organizimit të vaksinimit nuk është treguar efikase sepse “po shkakton radhë të gjata”.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të tregohet shumë më e përgjegjshme që të rrisë efikasitetin e vaksinimit në të kundërtën do të ketë përgjegjësi për shkelje të drejtave të njeriut. Mbrojtja shëndetësore është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi institucionale t’i mbrojë këto të drejta”, thuhet në komunikatën për media./Insajderi.com