Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj), thotë se duhet mbrojtur pavarësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me vendimin që pritet të merret për kandidatët për deputetë, të cilët janë të dënuar gjatë tri vjetve të fundit, njofton Insajderi.
Përmes një njoftimi për media, KMDLNj thotë se në prag të zgjedhjeve KQZ-së po i bëhet presion që ndikon në mbarëvajtjen e punës.
Sipas tyre, presioni është i natyrës politike që ka për qëllim nënshtrimin e saj ndaj subjekteve politke.
Nga KMDLNJ është thënë se kaosi në vend është shkaktuar nga Gjykata Kushtetuese e cila sipas tyre, morri një vendim kontravers që ka krijuar hapësirë të interpretimit sipas interesit politik dhe zbatimit të standardeve të dyfishta.
“Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike. Me një vendim krejtësisht politik të Gjykatës Kushtetuses të Kosovës, sepse pati efekte dhe pasoja politike, vendi dhunshëm shkoi në zgjedhje të parakohshme ndonëse Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
“Po ky vendim, që sipas KMDLNj –së është krejtësisht politik, u sanksionuan me mospjesëmarrje në zgjedhje të përgjithshme 47 kandidatë për faktin se kishin një vendim të formës së prerë për vepra penale, pa u specifikuar natyra e veprave, në 3 vitet e fundit”.
“Tërë këtë kaos e ka bërë GJK, me një vendim kontravers që ka krijuar hapësirë të interpretimit sipas interesit politik dhe zbatimit të standardeve të dyfishta me ç’rast pranohet vendimi që vota e Et’hem Arifit të shpallet e pavlefshme e të rrëzohet qeveria Hoti kurse vendimi për ndalim në zgjedhje për 47 kandidatë me precedencë penale, nuk pranohen”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com